Dy avionë ushtarakë rusë kanë hyrë për disa sekonda në hapësirën ajrore të Lituanisë, një vend anëtar i NATO-s, njoftuan sot forcat e armatosura lituaneze.
Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 17:00 sipas orës lokale, kur një avion luftarak “Su-30” dhe një avion cisternë “Il-78” depërtuan rreth 700 metra brenda territorit ajror të Lituanisë, duke qëndruar për rreth 18 sekonda përpara se të riktheheshin në drejtim të rajonit rus të Kaliningradit.
Sipas autoriteteve, dy avionët mund të kenë qenë në një mision stërvitor furnizimi me karburant, por hyrja e tyre përbën shkelje të qartë të hapësirës ajrore të një vendi të NATO-s.
Në reagim, avionë luftarakë “Eurofighter Typhoon” të Spanjës, pjesë e Policisë Ajrore Baltike të NATO-s, u ngritën menjëherë në ajër dhe po patrullojnë zonën.
Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, e cilësoi incidentin si një provokim të rrezikshëm nga Moska.
“Kjo tregon edhe një herë se Rusia po sillet si një shtet terrorist, duke shpërfillur ligjin ndërkombëtar dhe sigurinë e vendeve fqinje,” shkroi ajo në Facebook.
“Lituania është e sigurt. Së bashku me aleatët tanë, do të mbrojmë çdo centimetër të vendit tonë,” shtoi më tej Ruginiene.
Ky nuk është rasti i parë i tillë në javët e fundit. Më 19 shtator, tre avionë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë për 12 minuta, ndërsa në fillim të muajit mbi 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore të Polonisë, disa prej të cilëve u rrëzuan nga NATO, rasti i parë që aleanca ka qëlluar drejtpërdrejt mbi objektiva ruse që prej nisjes së luftës në Ukrainë.
Gjenerali amerikan që shërben si komandant i lartë i NATO-s tha këtë javë se përgjigjet e forta të aleancës duket se e kanë frenuar disi Moskën, por paralajmëroi se Kremlini pritet të vazhdojë testimin e kufijve të saj në rajon.