Kina i kthen shpinën Moskës: Pezullon blerjen e naftës ruse

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.10.2025, 18:28

Tjetër goditje për ekonominë e Kremlinit. Kina ka pezulluar sot, më 23 tetor, blerjet e naftës ruse, pas sanksioneve të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj gjigantëve rusë të energjisë, Rosneft dhe Lukoil.

Sipas agjencisë Reuters, vendimi i Pekinit pritet të ushtrojë presion të ndjeshëm mbi të ardhurat e Moskës nga eksportet e naftës, duke detyruar tregun global të kërkojë burime të reja furnizimi dhe ndoshta të përballet me rritje çmimesh.

Kompanitë shtetërore kineze PetroChina, Sinopec, CNOOC dhe Zhenhua Oil kanë vendosur të ndalojnë përkohësisht tregtinë me Rusinë, për aq kohë sa SHBA dhe Bashkimi Europian mbajnë qëndrimin e tyre të ashpër kundër Kremlinit.

Rosneft dhe Lukoil e kanë shitur pjesën më të madhe të naftës drejt Kinës përmes ndërmjetësve, ndërsa vetëm gjatë këtij viti Kina ka importuar rreth 1.4 milion fuçi në ditë nga Rusia.

Sipas të dhënave të Vortexa Analytics, blerjet nga kompanitë shtetërore kineze kanë qenë nën 250 mijë fuçi në ditë për nëntëmujorin e parë të vitit 2025, ndërsa konsulenca Energy Aspects i vlerëson ato në rreth 500 mijë fuçi.

Rafineritë e pavarura kineze pritet gjithashtu të ndalojnë përkohësisht blerjet, për të vlerësuar ndikimin e sanksioneve të shpallura mbrëmjen e 22 tetorit nga Thesari Amerikan.

Aktualisht, Kina importon edhe 900 mijë fuçi në ditë përmes tubacioneve që furnizojnë PetroChina, por analistët parashikojnë se në javët në vijim Pekini dhe India do të kërkojnë alternativa të reja për furnizim me naftë.

Një sinjal i qartë se durimi i Kinës ndaj Rusisë po vihet në provë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit