Në Shijak, mbeturinat janë bërë pjesë e përditshmërisë, aq sa qyteti ngjan më shumë me një “mbretëri të plehrave” sesa me një bashki funksionale. Prej kohësh, rrugët, lagjet dhe hapësirat publike janë kthyer në pika grumbullimi mbetjesh, ndërsa era e rëndë është bërë aroma e përditshme e qytetit.
Në krye të kësaj mbretërie qëndron Elton Arbana, kryetari i bashkisë që, njihet për prezencën e tij, por jo në Shijak. Ai duket gjithnjë aty ku ndizen dritat e kamerave, por rrallë aty ku ndizet era e plehrave.
Për ironi, ndërsa nëpër rrjete sociale flitet për investime, zhvillim dhe kujdes për qytetin, Shijaku real jeton nën pirgjet e mbeturinave, ku shërbimi i pastrimit duket se është në pushim të përhershëm. Qytetarët kanë mësuar të shmangin kazanët e tejmbushur dhe të ecin nëpër rrugë që ngjajnë më shumë me zona të braktisura se me hapësira urbane.
E vetmja gjë që funksionon me rregull është prezenca virtuale e kryetarit, në takime, ceremoni apo aktivitete jashtë qytetit. Ndërsa prania e tij reale mungon aty ku duhet më shumë: në rrugët e pista, në lagjet e ndotura, në sytë e njerëzve që ndihen të harruar.
Shijaku sot është pasqyra më e qartë e një pushteti lokal që di të shfaqet, por nuk di të veprojë. Një qytet që ka nevojë për pastrim, jo për prezencë.