Një nga figurat më të ndritura të futbollit shqiptar, Agustin Kola, po përballet me një periudhë të vështirë për shkak të problemeve shëndetësore. Ikona e Tiranës dhe e Kombëtares shqiptare është shtruar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku po merr trajtim të specializuar mjekësor.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se Kola është diagnostikuar me ulçerë në stomak. Pas ndërhyrjeve dhe kujdesit të stafit mjekësor, gjendja e tij raportohet e stabilizuar, por kërkon ende vëmendje dhe kujdes të vazhdueshëm. Për të gjithë ata që e kanë parë dikur të shënonte gola vendimtarë dhe të mbante mbi shpinë peshën e fanellës bardheblu, lajmi ka sjellë një ndjesi të fortë mallëngjimi dhe shqetësimi.
Në këtë moment delikat, klubi i Tiranës ka treguar se legjendat nuk harrohen. Me një reagim të ndjerë në rrjetet sociale, drejtuesit e klubit kanë bërë të ditur se po ndjekin nga afër gjendjen e Kolës, duke qenë pranë tij që nga dita e parë e shtrimit në spital. “E presim me padurim legjendën Kola dhe jemi të sigurt se së shpejti do të shihemi në stadium”, shkruhet ndër të tjera në mesazhin e klubit, që i fton edhe tifozët bardheblu të përcjellin urimet e tyre për shërimin e shpejtë të idhullit të përjetshëm.
Agustin Kola mbetet një emër që i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Luftarak në fushë dhe i dashur jashtë saj, ai ka fituar zemrat e brezave të tërë tifozësh. Sot, kur ai po lufton jashtë fushës, është radha e të gjithëve për t’i qëndruar pranë, me të njëjtin shpirt solidariteti që ai përfaqësoi dikur me fanellën bardheblu.