Një tjetër rast shqetësues është regjistruar këtë herë në qytetin e Vlorës, ku një vajzë ka raportuar pranë redaksisë sonë një episod ngacmimi dhe ndjekjeje nga një person i panjohur.
Sipas saj, gjithçka nisi papritur, teksa po ecte në rrugë. Një burrë, që ajo nuk e kishte parë kurrë më parë, i është vënë pas, duke iu afruar me insistim dhe duke e ngacmuar në mënyrë të vazhdueshme. Përpjekjet e saj për ta shmangur situatën ishin të pafrytshme, edhe pse hyri në disa dyqane për t’u larguar prej tij, ai e ka ndjekur sërish, deri në momentin kur vajza u fut në një lokal për t’u ndier më e sigurt. Por as aty nuk mbaroi gjithçka. Sipas saj, burri është ulur jashtë lokalit dhe e ka pritur, duke i folur, bërë gjeste dhe treguar një sjellje që mund të përshkruhet si fiksim i frikshëm.
Kjo histori është vetëm një nga dhjetëra raste që JOQ Albania ka raportuar së fundmi, ku vajzat ndihen të pasigurta edhe në mes të ditës. Fenomeni i ngacmimeve në rrugë po kthehet në plagë të përditshme, vajza apelon për kujdes ndaj këtij individi, pasi ai paraqet rrezikshmëri dhe mund të përsërisë sjellje të ngjashme edhe ndaj të tjerave.