Një punonjës i cili ka vite në Akademinë e Sigurisë ka ngritur një shqetësim serioz lidhur me gjendjen e të rinjve që aplikojnë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Ai ka treguar se gjatë procesit të verifikimeve përfundimtare të kandidatëve, këtë vit është vërejtur një situatë e pazakontë dhe alarmante.
Sipas tij, një numër i konsiderueshëm të rinjsh dhe të rejash, të moshave nga 19 deri në 25 vjeç, kanë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, ndërsa shumë prej tyre kanë shfaqur edhe probleme të theksuara psikologjike. Punonjësi ka theksuar se kjo situatë është ndryshe nga çdo vit tjetër dhe ka kërkuar ndërgjegjësimin e prindërve shqiptarë për këtë fenomen shqetësues.
Ai u ka bërë thirrje prindërve që të jenë më pranë fëmijëve të tyre, t’i kontrollojnë, të flasin me ta dhe të mos i lënë deri vonë nëpër ambiente si diskoteka apo vende ku mund të humbasin kontaktin me realitetin. Punonjësi ka shtuar se shumë të rinj kanë nevojë për ndihmë dhe përkrahje emocionale, jo vetëm për qortime apo ndëshkime.
Nga verifikimet e kryera, rreth 30% e aplikantëve janë skualifikuar në fazën e testit të drogës dhe atij psikologjik, ndërsa vetëm 70% kanë kaluar për t’u përgatitur për testin me shkrim, në garën për 350 vende vakante në Policinë e Shtetit. Ai ka theksuar se shqetësues mbetet fakti që përdorimi i lëndëve narkotike po përfshin gjithnjë e më shumë edhe vajzat e reja, çka tregon se fenomeni po përhapet me ritme alarmante.
Punonjësi thotë se qëllimi i tij nuk është të kritikojë, por të bëjë një apel për ndërgjegjësim dhe reflektim për prindërit dhe për shoqërinë në tërësi, duke paralajmëruar se rinia shqiptare po përballet me rreziqe serioze që lidhen me përdorimin e drogave dhe problemet psikologjike.
Ky fenomen, tregon se një pjesë e të rinjve shqiptarë po përballen me kriza të thella emocionale dhe sociale, ndërsa mungesa e mbështetjes psiko-sociale në vend po reflektohet në mënyrë të dukshme edhe te ata që synojnë të bëhen pjesë e strukturave të rendit.
Denoncimi i plotë:
Pershendetje JOQ! Unë jam një punonjës prej vitesh në Akademinë e Sigurisë dhe kam marrë pjesë vazhdimisht në proceset e verifikimeve përfundimtare të kandidatëve që aplikojnë për Policinë e Shtetit.
Këtë vit, ndryshe nga çdo vit tjetër, kam mbetur realisht pa fjalë. Një numër i madh të rinjsh e të rejash, të moshave 19, 22 dhe 25 vjeç, janë rezultuar përdorues të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë, dhe shumë prej tyre kanë treguar probleme të theksuara psikologjike.
Apeli im është drejtuar prindërve shqiptarë. Ju lutem, kontrolloni fëmijët tuaj, flisni me ta, mos i lini deri vonë nëpër diskoteka apo ambiente ku humbasin kontaktin me realitetin. Përpiquni ti kuptoni, ti testoni me pyetje të thjeshta që tregojnë gjendjen e tyre emocionale, sepse shumë prej tyre kanë nevojë për ndihmë, jo vetëm për qortim.
Nga verifikimet e fundit, rreth 30% e aplikantëve janë skualifikuar në fazën e testit të drogës dhe atij psikologjik, ndërsa vetëm 70% kanë arritur të kalojnë për tu përgatitur për testin me shkrim, në garën për 350 vende vakante në Policinë e Shtetit. Shqetësues mbetet fakti që përdorimi i drogave po përfshin edhe vajza të reja, gjë që tregon se ky fenomen po përhapet në mënyrë alarmante.
Ky nuk është një kritikë, por një thirrje për ndërgjegjësim dhe reflektim, për prindërit dhe për shoqërinë në tërësi. Rinia jonë po humbet në rrugë të rrezikshme dhe është koha të veprojmë të gjithë bashkë.
Faleminderit nëse do ta publikoni këtë apel si një shqetësim serioz dhe real që prek çdo familje shqiptare.