Rama i lë shqiptarët pa dije dhe shëndet, fondet i merr infrastruktura

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.10.2025, 09:25

Qeveria shqiptare ka miratuar për herë të tretë këtë vit një rishikim të buxhetit të shtetit, duke bërë ndryshime të ndjeshme në shpërndarjen e fondeve. Sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë janë prekur nga shkurtimet, ndërsa infrastruktura ka përfituar rritje të konsiderueshme. Ministrisë së Arsimit i janë hequr rreth 851 milionë lekë krahasuar me qershorin, çka e çon uljen totale në mbi 1 miliard lekë më pak se buxheti fillestar i vitit 2025.

Ndërkohë, fondet për shëndetësinë janë reduktuar me 336 milionë lekë, një shumë që përfaqëson rreth 0.5% më pak se buxheti fillestar. Ky ndryshim ngre shqetësime për përballimin e kërkesave në spitale dhe për cilësinë e shërbimeve shëndetësore, në një kohë kur nevojat e qytetarëve janë në rritje. Ekspertët e ekonomisë theksojnë se mungesa e investimeve të qëndrueshme në këta dy sektorë mund të ndikojë negativisht në kapitalin njerëzor të vendit.

Në krahun tjetër, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përfituar një shtesë prej mbi 6.1 miliardë lekësh, duke reflektuar prioritetin e qeverisë për zhvillimin e rrugëve dhe projekteve energjetike. Edhe bujqësia ka marrë një mbështetje modeste prej 331 mijë eurosh, ndërsa fokusi i përgjithshëm mbetet tek investimet fizike, jo sociale. Kjo qasje, po e largon Shqipërinë nga standardet e vendeve të BE-së, ku arsimi dhe shëndetësia konsiderohen shtylla kryesore të zhvillimit afatgjatë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit