Një familje shqiptare shpenzon mesatarisht 7 mijë lekë (rreth 70 €) në muaj për dalje në restorante ose qëndrime në hotele, sipas të dhënave të fundit mbi strukturën e shpenzimeve familjare. Kjo përbën 7.6% të buxhetit mujor, që mesatarisht arrin në 93 mijë lekë.
Në përllogaritje vjetore, çdo familje shpenzon rreth 850 € në këtë sektor. Me rreth 755 mijë familje në vend, kjo përkthehet në një total prej 636 milionë eurosh në vit, që shqiptarët shpenzojnë për konsum në restorante dhe hotele.
Shifra tregon rritje të ndjeshme krahasuar me disa vite më parë dhe lidhet me çmimet më të larta në gastronomi dhe turizëm, si dhe me ndryshimet në stilin e jetesës, ku familjet dalin më shpesh jashtë ose kalojnë fundjavën në hotele.
Ekonomistët e shohin këtë si tregues të rritjes së konsumit të brendshëm, ndërsa bizneset e turizmit dhe gastronomisë përfitojnë nga ky trend, i cili pritet të rritet edhe më tej gjatë vitit 2025, veçanërisht në zonat turistike dhe bregdetare.