Kina është bërë partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në 8-mujorin e parë të vitit 2025, duke tejkaluar Shtetet e Bashkuara dhe rimarrë vendin e parë pas një viti.
Të dhënat paraprake të zyrës gjermane të statistikave tregojnë se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve arritën në 163.4 miliardë euro, ndërsa ato me SHBA-në ishin 162.8 miliardë euro.
Rënia e eksporteve drejt Amerikës është ndikuar nga tarifat e reja të vendosura nga administrata e Donald Trump, të cilat kanë ulur shitjet e produkteve gjermane si makinat, makineritë dhe kimikatet. Vetëm në gusht, eksportet drejt SHBA ranë me 23.5% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, importet nga Kina drejt Gjermanisë janë rritur me 8.3%, pavarësisht përpjekjeve të Berlinit për të reduktuar varësinë ekonomike nga Pekini. Ekspertët paralajmërojnë se këto importe shpesh vijnë me çmime “dumping”, duke rritur presionin ndaj industrive gjermane që tashmë përballen me konkurrencë të fortë kineze.