Policia e Lezhës ka sekuestruar 7 pasuri të llojit arë, me një sipërfaqe totale prej 15 mijë metra katrorë, pasi dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Vendimi është marrë nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) në kuadër të hetimeve për pasuri të pajustifikuara me të ardhurat ligjore.
Sipas burimeve zyrtare, 2 nga parcelat ndodhen në bregun e lumit Drin, një zonë me potencial të madh zhvillimi, ndërsa 5 të tjera në Ishull Shëngjin, një nga zonat bregdetare më të vlerësuara për interes turistik dhe ekonomik.
Policia po vijon hetimet për të zbuluar burimin real të pronave dhe lidhjet e mundshme me personat e përfshirë në aktivitet kriminal.