Vdekja misterioze e Mirel Çokajt, e motra: Vëllai im merrej me drogë, dyshoj se e ka ekzekutuar ortaku

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 22.10.2025, 14:10

Një mister i thellë mbulon ende vdekjen e Mirel Çokajt, i cili u gjet pa jetë në zonën malore të Kelmendit. Zyrtarisht, dyshohet se ai ka rënë në një humnerë, por familjarët e tij nuk e besojnë këtë version. Motra e viktimës, Mirjana Çokaj, pretendon se vëllai i saj është vrarë për shkak të konflikteve të lidhura me trafikun e drogës.

“Jam Mirjana Çokaj. Sapo dola nga Prokuroria, ku dhashë dëshminë time lidhur me vdekjen e vëllait tim, Mirel Çokaj, i cili u gjet i vdekur në Malet e Kelmendit. Unë dyshoj se ai është vrarë për shkak të parcelave me drogë. Bëhet fjalë për një parcelë në Malësinë e Madhe, ku policia gjeti dhe asgjësoi rreth 980 rrënjë kanabis. Vëllai im, prej disa vitesh, ishte përfshirë në këtë aktivitet dhe madje kishte qenë i dënuar më parë për drogë,” tha ajo.

Sipas Mirjanës, personi i fundit që e pa gjallë Mirelin ishte ortaku i tij, për të cilin ajo shpreh dyshime të forta. “Kur u përballa me ortakun e tij, ai më tha se e kishte gjetur vëllain të vdekur në rrugë, pasi kishte rënë në humnerë. Ai pretendoi se kishte dëgjuar zilen e telefonit të tij, por celulari nuk u gjet kurrë. Dua të di, si e dinte ai saktësisht vendin ku kishte vdekur vëllai im?”, u shpreh ajo me revoltë.

Mirjana kërkon që çështja të hetohet deri në fund, duke theksuar se versioni i aksidentit nuk qëndron. “Sipas meje, dikush nga ortakët e tij mund të ketë dorë në këtë ngjarje. Nga telefonatat që mund të ketë bërë, ndoshta ka thirrur dikë për ta takuar. Dyshoj se vëllai ka devijuar rrugën dhe është futur në një shteg tjetër. Ai nuk kishte planifikuar të kthehej atë ditë, por e bëri dy ditë më herët. Mendoj se ose është shtyrë, ose dikush i ka rënë nga pas. Dua drejtësi për vëllain tim,” përfundon ajo.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit