Deklaratat e fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama mbi Brexit-in dhe krizën e emigracionit në Britani kanë ndezur polemika të forta në Londër. Në një intervistë për “Daily Express”, një zyrtar i Ministrisë së Brendshme britanike reagoi ashpër, duke e quajtur Ramën “të shkëputur nga realiteti” dhe theksoi se “nëse do të bënte punën si duhet në Shqipëri, qytetarët e tij nuk do të largoheshin masivisht drejt Britanisë
“Edi Rama s’e ka idenë për çfarë po flet. Nëse ai do ta bënte vërtet punën e tij, shqiptarët nuk do të iknin në masë drejt Britanisë. Ai duhet të kalojë më pak kohë duke i dhënë gojës kot dhe më shumë kohë duke marrë mbrapsht numrin rekord të kriminelëve shqiptarë që mbushin burgjet tona”, tha zyrtari i Ministrisë së Brendshme britanike.
Reagimi britanik vjen pasi Rama komentoi se “Brexit e ka bërë Britaninë të dëshpëruar” dhe lidhi rritjen e kalimeve të emigrantëve me varka të vogla me daljen e Britanisë nga BE. Ai ironizoi duke thënë: “Disa i quajnë varka të vogla, disa i quajnë varka të Brexit-it”, duke shtuar se “dolët nga Europa për më shumë lumturi, tani jeni të dëshpëruar”, një deklaratë që u konsiderua provokuese nga mediat dhe zyrtarët britanikë.
Këto tensione ndodhin në prag të një takimi të rëndësishëm në Londër, ku kryeministri britanik Sir Keir Starmer do të presë liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Ramën. Në fokus të bisedimeve pritet të jenë përpjekjet për ndalimin e bandave të kontrabandës dhe frenimi i emigracionit të paligjshëm përmes Europës.