Futbolli shpesh di të shkruajë histori që ngjajnë me përralla, por ajo e Anders Torstensson është ndoshta më e bukura prej tyre, një tregim ku forca e shpirtit sfidon kufijtë e njeriut dhe sportit. Trajneri 59-vjeçar suedez, i cili në gusht të vitit 2024 u diagnostikua me leuçemi, udhëhoqi skuadrën modeste Mjällby AIF drejt një titulli historik kampioni në Suedi, duke e kthyer një klub të një qyteti me vetëm 1 400 banorë në qendër të hartës europiane të futbollit.
Aventura e Mjällby-t është cilësuar si “mrekullia e Leicesterit në versionin nordik”, një histori e ndërtuar mbi përkushtim, besim dhe një filozofi pune që nuk njeh kompromise. Por mbi të gjitha, ajo është historia e një njeriu që, përveç fitores në fushë, ka fituar edhe ndeshjen më të rëndësishme: atë për jetën.
“Që nga diagnoza, jam ndjerë më i fortë. E kuptova vlerën e çdo dite dhe çdo momenti që jetoj. E kam pranuar sëmundjen, por nuk lejoj që ajo të më përcaktojë. Sot nuk ndihem ndryshe nga dje,” ka treguar Torstensson, me një qetësi që rrallë shihet te trajnerët e futbollit modern.
Për të, leuçemia nuk ishte vetëm një provë e dhimbshme, por edhe një mësim jetësor, që ndryshoi mënyrën se si shihte lojën dhe jetën. “Nuk marr asgjë si të mirëqenë dhe nuk e shtyj asgjë për nesër. Ndoshta kjo është arsyeja pse fituam. Nuk ka sekrete magjike, por 500 gjëra të vogla që i bëjmë çdo ditë, me përpikmëri dhe pa kompromis,” shton ai.
Nga spitali te stoli i kampionëve, udhëtimi i Torstenssonit ka tejkaluar futbollin. Ai është kthyer në një fabul frymëzuese për të gjithë ata që besojnë se vullneti njerëzor mund të triumfojë edhe përballë sëmundjes.