U gjet i vdekur në humnerë: Nisin hetimet për vrasjen e Mirel Çokës në Kelmend

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.10.2025, 11:22

Prokuroria e Shkodrës ka hapur hetime për vdekjen e 40-vjeçarit Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në malet e Kelmendit, në zonën e Malësisë së Madhe.

Fillimisht, policia lokale e cilësoi ngjarjen si një rrëzim aksidental, por dyshimet e familjarëve kanë ndryshuar drejtimin e hetimeve.

Ngjarja ndodhi më 18 shtator të këtij viti në fshatin Kozhnje. Trupi i pajetë i Çokajt u pikas nga një dron i policisë, ndërsa nxjerrja e tij nga humnera u bë e mundur vetëm pas 24 orësh me ndërhyrjen e një helikopteri të Forcave të Ushtrisë.

Shtysa për rihapjen e hetimeve erdhi nga Rifat Çokaj, një i afërm i viktimës me eksperiencë të gjatë në radhët e policisë amerikane, i cili ngriti dyshime serioze për një vrasje të mundshme. Ai vuri në lëvizje strukturat lokale të hetimit, të cilat kryen veprime të tjera procedurale përtej konstatimit fillestar të një aksidenti.

Aktualisht, prokuroria ka regjistruar procedim penal për veprën “shkaktim i vetëvrasjes”, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të jetë një vrasje e mirëorganizuar.

Dyshimet e familjes lidhen me aktivitetin e paligjshëm që i ndjeri dyshohet se kishte me persona të tjerë në një parcelë kanabisi, rreth një orë larg vendit ku u gjet i pajetë. Sipas të afërmve, konflikti për ndarjen e përfitimeve nga ky aktivitet mund të ketë çuar në eliminimin fizik të Çokajt. Ata pretendojnë se një nga ortakët e drogës mund ta ketë shtyrë në humnerë për të shmangur ndarjen e fitimit.

Të tjera pikëpyetje ngrihen edhe për faktin se telefoni celular i viktimës nuk është gjetur ende, ndërsa sipas familjes, ai nuk planifikonte të kthehej atë ditë dhe kishte ndjekur një shteg të panjohur për të mbërritur në zonën e parcelës.

Hetimet janë intensifikuar pasi në vendin ku dyshohet se Mirel Çokaj qëndronte, policia gjeti dhe asgjësoi 780 bimë kanabisi, duke konfirmuar prezencën e tij në këtë aktivitet të paligjshëm. Sipas familjarëve, është e pamundur që ai të ketë qenë i vetëm në ruajtjen e parcelës, duke forcuar dyshimet për praninë e një personi tjetër në momentet e fundit të jetës së tij.

Prokuroria ka nisur marrjen në pyetje të familjarëve, të afërmve dhe personave që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ndërkohë, nuk përjashtohet asnjë pistë hetimi për zbardhjen e plotë të asaj që ndodhi me Mirel Çokajn në malet e Kelmendit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit