Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Manëz të Durrësit, ku dy të rinj kanë humbur jetën si pasojë e një konflikti me armë zjarri. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 pranë një karburanti, dhe dyshohet se shkak janë bërë motive të dobëta.
Viktimat janë identifikuar si Aranit Kurti, 23 vjeç dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz. Hetimet paraprake sugjerojnë se Flori Paluçi është qëlluar për vdekje nga shtetasi D. P., 21 vjeç, ndërsa Aranit Kurti dyshohet se është vrarë nga vetë Paluçi gjatë përplasjes.
“Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobëta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz. Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P.,” njofton Policia e Durrësit.
Autori i dyshuar, D. P., është shpallur në kërkim, ndërsa shërbimet e Policisë po zhvillojnë kontrolle intensive për kapjen e tij.
Ndërkohë, në vendngjarje ndodhet një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon nën drejtimin e Prokurorit për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e çdo personi të përfshirë dhe administrimin e provave ligjore që do të ndihmojnë në dokumentimin e plotë të ngjarjes