Demokratët rebelohen ndaj Berishës, Xhaferri i numëron muajt

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 21.10.2025, 23:00

Deputeti demokrat Besart Xhaferri, i përzgjedhur në listën e mbyllur të Tiranës në zgjedhjet e 11 majit, ka ndezur debat brenda Partisë Demokratike me një deklaratë që shihet si sinjali i parë i pakënaqësive të reja në parti.

Gjatë një interviste ai tha se mandati i kryetarit Sali Berisha përfundon në prill të vitit 2026, duke nënvizuar se në atë kohë duhen zhvilluar zgjedhje të reja partiake.

“Sipas statutit, mandati i zotit Berisha mbaron në prill të 2026. Nëse nuk zhvillohen zgjedhje, ai duhet të largohet,” – tha Xhaferri, duke i kujtuar liderit demokrat se premtimi për përsëritjen e zgjedhjeve të 11 majit duhet mbajtur.

Sipas tij, nëse ky proces nuk ndodh, atëherë largimi i Berishës nga drejtimi i partisë do të ishte një hap i drejtë dhe i domosdoshëm.

Megjithatë, Xhaferri theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga PD dhe se do të vazhdojë të kontribuojë brenda saj, por pa u përfshirë në konflikte të brendshme.

“Nëse Berisha nuk ikën, unë do të vazhdoj punën time në PD, por nuk do të bëj luftë të brendshme. Brenda partisë ka një rend hierarkik dhe nuk është radha ime,” – shtoi ai.

Deputeti, i njohur për afërsinë me Belind Këlliçin, duket se po pozicionohet në një fazë të re të zhvillimeve brenda PD-së. Ndërkohë, Këlliçi, dikur figura kryesore e demokratëve në Tiranë është spostuar nga strukturat drejtuese, ndërsa Ilir Alimehmeti shihet tashmë si fytyra kryesore e partisë në kryeqytet.

Në takimin e fundit të kandidatit Florian Binaj, mungesa e Këlliçit dhe prania e Alimehmetit u interpretuan si konfirmim i ndryshimeve të brendshme.

Deklarata e Xhaferrit, e cila është shpërndarë edhe nga “Rilindja Demokratike”, organi zyrtar i partisë, po konsiderohet nga shumë demokratë si shenja e parë e një rebelimi të ri “blu”, që mund të trazojë balancat brenda kampit opozitar në muajt në vijim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit