Atentati ndaj gazetarit italian Ranucci ka lidhje me kampin në Gjadër?

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.10.2025, 22:54

Komisioni Parlamentar Antimafia ka vendosur të thërrasë për dëgjim gazetarin italian Sigfrido Ranucci, i cili më 16 tetor u sulmua me një mjet shpërthyes të improvizuar që shkaktoi dëme të mëdha në dy makinat e parkuara jashtë banesës së tij në Pomezia, afër Romës.

“Kam pranuar menjëherë kërkesën për të dëgjuar Ranuccin në komision,” njoftoi Chiara Colosimo, kryetarja e këtij organi parlamentar. “Nuk kam bërë presion që kjo të ndodhë shpejt dhe nuk kam ndërmend ta bëj. Ai do të vendosë vetë se kur dhe si do të vijë, duke ditur se komisioni e pret.”

Në kuadër të hetimeve, autoritetet po vijojnë marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe analizën e dhjetëra kamerave të sigurisë, publike dhe private, të siguruara kohët e fundit. Nën drejtimin e prokurorit Carlo Villani nga DDA, karabinierët e Frascatit dhe Romës kanë pyetur banorë të zonës për të mbledhur informacione mbi ngjarjet para shpërthimit në orën 22:17, si dhe detaje për largimin e një personi me kapuç, i parë duke u lëvizur pranë vendit të sulmit pak minuta më parë.

Dëshmitë do të ndihmojnë gjithashtu për të ndërtuar një profil mbi disa shpërthime të tjera të ngjashme, me “bomba letre”, të ndodhura në javët e fundit në zonën ku jeton gazetari i Report.

Hetimet po vazhdojnë paralelisht me analizën e mbi 30 kamerave të sigurisë. Investigatorët janë duke u fokusuar te automjetet e dyshimta dhe po kërkojnë konfirmime për praninë e një makine që dyshohet se është larguar menjëherë pas shpërthimit, duke ndjekur një rrugë të caktuar.

Nga hetimet paraprake rezulton se personi që la mjetin shpërthyes me fitil të ndezur midis dy vazove, kishte njohuri të detajuara mbi lëvizjet e Ranuccit, i cili ishte kthyer në banesë atë ditë pas disa ditësh mungesë.

Shkalla e mundësive për autorët e kësaj kërcënimi të rëndë mbetet e gjerë. Mendohet se sulmi lidhet me hetimet dhe emisionet investigative të transmetuara nga Report në Rai Tre gjatë viteve të fundit.

Hetimet vazhdojnë të marrin në konsideratë edhe pistat e veprimeve nga krimi lokal, veçanërisht në zonën bregdetare të Romës, grupet ultras, si dhe hipoteza e një aksioni nga grupe shqiptare, edhe pse deri tani nuk ka prova konkrete për një sulm të tillë në përgjigje të shkrimeve lidhur me kampet e migrantëve në Shengjin dhe Gjader.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit