Sipas autoriteteve, tetë bizhuteri u vodhën gjatë grabitjes, përfshirë diadema (kurora të zbukuruara me gurë të çmuar), varëse, vathë dhe brosha.
Të gjitha datojnë nga shekulli i 19-të dhe dikur i përkisnin familjeve mbretërore dhe perandorake franceze.
Ministria e Kulturës e Francës ka publikuar listën e sendeve të vjedhura:
Këto bizhuteri janë të zbukuruara me mijëra diamante dhe gurë të tjerë të çmuar.
Sipas hetuesve, kurora e Perandoreshës Eugénie u gjet e dëmtuar pranë rrugës së arratisjes, me gjasë pasi grabitësit e kishin lënë pas gjatë ikjes.
Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez i përshkroi bizhuteritë e vjedhura si “të paçmueshme” dhe me “vlerë trashëgimie të pallogaritshme”.
“Kemi një garë me kohën tani,” tha Chris Marinello, drejtori ekzekutiv i organizatës Art Recovery International.
Sipas tij, kurorat dhe diademat mund të copëtohen lehtë dhe të shiten pjesë-pjesë.
“Grabitësit nuk do t’i mbajnë të paprekura,” shpjegoi Marinello. “Ata do t’i çmontojnë, do të shkrijnë metalet e vlefshme, do të riprocesojnë gurët dhe do të fshehin çdo gjurmë të krimit.”
Ai shtoi se do të jetë e vështirë t’i shesin bizhuteritë në gjendjen e tyre origjinale.
Më herët gjatë këtij viti, zyrtarët e Luvrit i kishin kërkuar ndihmë qeverisë franceze për të restauruar dhe rinovuar sallat e ekspozitave, si dhe për të përmirësuar sigurinë e veprave të artit.
Në atë kohë, Presidenti Emmanuel Macron kishte premtuar se Luvri do të ridizenjohej si pjesë e projektit “Rilindja e Re (New Renaissance)”, me një kosto mes €700 dhe €800 milionë, që përfshin edhe forcimin e masave të sigurisë.