Si ndodhi vjedhja spektakolare në muzeun e Luvrit për 4 minuta?!

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 21.10.2025, 21:15

Vjedhja spektakolare në muzeun e Luvrit në Paris që kishte në shënjestër bizhuteritë e paçmueshme të kurorës së Francës është ende nën hetim nga policia.

Grabitësit, të pajisur me mjete elektrike, hynë në muzeun më të vizituar në botë në mes të ditës dhe më pas u arratisën me skuterë, duke marrë me vete tetë objekte jashtëzakonisht të vlefshme bizhuterish.

Si ndodhi grabitja?

Sipas raportimeve, grupi mbërriti rreth orës 09:30 me orën lokale, pak pasi muzeu kishte hapur dyert për vizitorët.

Katër personat e dyshuar përdorën një vinç mekanik të montuar për të hyrë në Galerinë e Apolonit (Galerie d’Apollon) përmes një ballkoni pranë lumit Sena.

Fotot nga vendngjarja tregojnë një shkallë që ngjitej deri në një dritare të katit të parë.

Dy prej grabitësve hynë brenda duke prerë xhamin e dritares me mjete elektrike, më pas kanë kërcënuar rojet, të cilët u detyruan të evakuonin ndërtesën, dhe thyen xhamat e dy vitrinave ku ndodheshin bizhuteritë.

Një raport paraprak tregon se një në tre dhoma në zonën e muzeut të grabitur nuk kishte kamera sigurie, sipas mediave franceze.

Policia deklaroi se grabitësit qëndruan brenda vetëm katër minuta dhe u larguan në dy skuterë që i prisnin jashtë, në orën 09:38.

Reagimet dhe hetimi

“Kjo është një ngjarje shumë e dhimbshme për Francën,” tha Natalie Goulet, anëtare e komisionit të financave në Senatin francez.

“Të gjithë jemi të zhgënjyer dhe të zemëruar,” shtoi ajo, duke theksuar se është e vështirë të kuptohet si ndodhi kaq lehtë.

Ajo tha për BBC se alarmi lokal i galerisë ishte prishur kohët e fundit dhe se duhet pritur përfundimi i hetimit për të mësuar nëse ai ishte çaktivizuar qëllimisht.

Ndërkohë, Ministria e Kulturës së Francës konfirmoi se alarmet qendrore të muzeut funksionuan, stafi veproi sipas protokollit, duke lajmëruar forcat e sigurisë dhe mbrojtur vizitorët.

Grupi i grabitësve u përpoq t’i vinte flakën automjetit me të cilin kishin ardhur, por një punonjës i muzeut arriti t’i ndalonte, shtoi ministria.

Përshkrimi i grabitësve

Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, tha për mediat franceze se pamjet filmike tregojnë grabitësit me maska, që hynin qetësisht dhe thyenin vitrinat ku ishin bizhuteritë.

Askush nuk u plagos gjatë incidentit.

Sipas saj, grabitësit duken të përvojë dhe kishin një plan të mirëpërgatitur, me arratisje të organizuar me dy skuterë.

Hetimet vazhdojnë

Rreth 60 hetues janë angazhuar në çështje, ndërsa prokurorët dyshojnë se grabitësit kanë vepruar me urdhër të një organizate kriminale.

Policia ka katër persona të dyshuar dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë rrugës së arratisjes.

Një dëshmitar përshkroi “skena paniku” gjatë evakuimit të muzeut, ndërsa më vonë hyrjet e Luvrit u mbyllën me porta metalike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit