Furgoni me shqiptarë ndalohet dhe plaçkitet në mes të autostradës në Gjermani

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.10.2025, 20:13

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së hënës në Gjermani, ku një furgon me 10 pasagjerë shqiptarë është sulmuar dhe grabitur nga persona të armatosur.

Sipas mediave gjermane, mes tyre edhe BILD, incidenti ndodhi rreth orës 03:40 në autostradën A93, në zonën e Kelheim (Bavari). Tre autorë ende të paidentifikuar përdorën sinjale drite për ta detyruar furgonin të dilte nga rruga kryesore dhe të ndalonte në një parking udhëtarësh pranë daljes Aiglsbach.

Pasi e ndaluan automjetin, grabitësit, të cilët pretenduan fillimisht se ishin oficerë policie, kërkuan para dhe dokumente nga pasagjerët shqiptarë. Fatmirësisht, askush nuk u plagos, por ende nuk dihet shuma e parave që morën autorët.

Pas grabitjes, të dyshuarit u larguan me një makinë të bardhë, me targa që mendohet t’i përkasin qytetit Wernigerode në Saksoni-Anhalt, dhe janë në kërkim nga policia.

Sipas Prokurorisë së Regensburgut, furgoni kishte nisur udhëtimin nga Barcelona dhe po udhëtonte drejt Shqipërisë, me ndalesa në Zyrih.

Shoqata e Operatorëve të Autobusëve të Bavarisë deklaroi se një ngjarje e tillë nuk është parë më parë në Gjermani, duke e cilësuar rastin si “krejtësisht të veçantë”.

Autoritetet gjermane po hetojnë për identifikimin e autorëve dhe motivet e mundshme të grabitjes që ka tronditur komunitetin e emigrantëve shqiptarë në Bavari.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit