Portieri i talentuar i Borussia Dortmund, Diant Ramaj, që aktualisht aktivizohet në formë huazimi te Heidenheim, është përfshirë së fundmi në qarkullimin e lajmeve për një kalim të mundshëm në përfaqësuesen e Kosovës. Megjithatë, këto raportime janë hedhur poshtë nga vetë përfaqësuesi i tij.
Menaxheri i portierit me origjinë shqiptare, Jurgen Shuab, ka reaguar publikisht, duke sqaruar se Ramaj nuk ka ndërmend të bashkohet me Kosovën.
“Raportet janë padyshim të rreme. Interesi nga Kosova është i njohur dhe e kënaq Diantin, por ai e ka bërë të qartë në këtë pikë: nuk do të luajë për Kosovën”, deklaroi Shuab për mediat gjermane.
Derimë tani, Ramaj ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Gjermanisë, ku është aktivizuar me ekipet U-18, U-19 dhe U-20. Edhe pse mungesa e aktivizimeve me Kombëtaren A do t’i lejonte atij të zgjidhte një tjetër përfaqësuese në të ardhmen, duket se vendimi i tij për momentin mbetet i palëkundur.
22-vjeçari po kalon një formë të mirë në Bundesliga me Heidenheimin, dhe pritet të rikthehet te Borussia Dortmund pas përfundimit të sezonit, ku shihet si një investim afatgjatë për të ardhmen e klubit gjerman.