Banorët e një pallati në Divjakë denoncojnë situatën e rëndë me rrjedhjet e ujërave të zeza që përfshijnë ndërtesën nga të katër anët. Pavarësisht ankesave të përsëritura drejtuar Bashkisë së Divjakës, me kryetar Josif Gorrea nuk është ndërmarrë asnjë masë për zgjidhjen e problemit. Situata përkeqësohet edhe më shumë nga fakti se pranë pallatit ndodhet një ambulancë që është mbuluar nga këto ujëra të zeza, duke penguar shërbimet shëndetësore dhe rrezikuar shëndetin e banorëve.
Për më tepër, banorët shprehen të pakënaqur për mënyrën se si është trajtuar situata nga autoritetet, pasi në hyrje të pallatit është ngjitur një shkresë që u kërkon banorëve të marrin masa, përndryshe do t’u ndërpritet furnizimi me ujë të pijshëm. Ata kërkojnë përgjigje për destinacionin e taksave që paguajnë për pastrimin dhe trajtimin e ujërave të zeza, duke theksuar se është e padrejtë që të vuajnë pasojat e mungesës së veprimeve nga institucionet përgjegjëse.
Mesazhi i qytetares:
Përshëndetje JOQ! Jam një qytetare që banoj në një pallat në Divjakë. Tek ky pallat, rrjedhjet e ujërave të zeza janë nga të katër anët. Si banorë të këtij pallati kemi bërë ankesa në Bashkinë e Divjakës, por nuk është marrë asnjë masë. Afër pallatit ndodhet edhe një ambulancë për shëndetin tonë, e cila është mbuluar nga ujërat e zeza dhe përfundon duke u mbyllur. Ku shkojnë taksat tona për pastrimin e mjedisit dhe trajtimin e ujërave të zeza? Ne jetojmë çdo ditë në erë fekale dhe po shkatërrohemi gradualisht. Si përfundim, bashkia na është përgjigjur duke na ngjitur një shkresë në hyrje të pallatit, ku banorët duhet të marrin masa, përndryshe do t’u presin ujin e pijshëm. Ku është faji ynë që na ndërpritet uji? Ku është faji ynë që po jetojmë kështu, duke paguar taksa, ndërkohë që për muaj të tërë nuk është marrë asnjë masë dhe tani na vjen kjo letër për të gjithë banorët?