Një operacion i zhvilluar së fundmi në Tiranë, që çoi në arrestimin e shumëkërkuarit Aldo (alias Elidon) Avdyli, pritet të risjellë në vëmendjen e drejtësisë një nga dosjet më të ndjeshme dhe më të diskutueshme të viteve të fundit: zhdukjen e biznesmenit Ervis Martinaj.
Kjo çështje, e cila prej kohësh ndodhet në pezullim në Prokurorinë e Lezhës, lidhet me zhdukjen pa gjurmë të “mbretit” të lojërave të fatit në Shqipëri, që nga gushti i vitit 2022. Dosja u regjistrua fillimisht për akuzën e “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit” në formë bashkëpunimi, por përtej disa kontrolleve në banesat e Astrit, Jasin dhe Aldo Avdylit, hetimet nuk sollën asnjë rezultat konkret.
Megjithatë, për autoritetet hetimore të kohës, emri i Aldo Avdylit ishte ndër më të përfolurit si person që mund të kishte dijeni apo rol në zhdukjen e Martinajt. Pas arrestimit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë, sipas mediave mësohet se SPAK ka shfaqur interes për tërheqjen e akteve të dosjes me qëllim rishikimin e saj dhe marrjen në pyetje të Avdylit në burg.
Nëse ky hap ndërmerret, ai mund të sjellë zhvillime të reja për një nga misteret më të mëdha të botës së krimit në vend, zhdukjen e Ervis Martinajt, një ngjarje që prej më shumë se tre vitesh mbetet pa përgjigje.
Aktualisht, Aldo Avdyli përballet me tri akuza zyrtare: “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje” në kuadër të grupit kriminal me 16 persona të tjerë, si dhe “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim ndaj Edmir Bregut, i njohur si “Maloku”.
Ndërkohë, ndryshe nga sa është raportuar shpesh në media, Aldo Avdyli nuk është nip i Astrit Avdylit, por kushëri i tij.