Atentati ndaj gazetarit italian! “Po hetohet kryetrafikanti shqiptar Artur Shehu”

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.10.2025, 11:29

Hetimet për atentatin ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci po marrin një tjetër kthesë, me një pistë të re që lidhet me Shqipërinë. Sipas prestigjiozes italiane La Repubblica, autoritetet italiane po hetojnë përfshirjen e mundshme të Artur Shehut, një shtetas shqiptar 58-vjeçar që jeton në Miami, i konsideruar si një figurë me ndikim në krimin e organizuar. Shehu dyshohet për lidhje me shpërthimin që ndodhi më 16 tetor 2025, nën banesën e gazetarit të njohur të emisionit “Report” në RAI.

Referuar burimeve të La Repubblica, hetuesit italianë përfshirë Drejtorinë Rajonale të Antimafias së Romës dhe karabinierët po analizojnë informacionet e ardhura nga Vlora në lidhje me aktivitetet dhe kontaktet e Shehut në Shqipëri. Dyshimet lidhen me një episod të emisionit "Report" të transmetuar më 21 prill 2024, ku Shehu u përmend në një investigim mbi marrëveshjen italo-shqiptare për ndërtimin e qendrave të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër. Në emision, ai paraqitet si trafikant droge me lidhje të mëhershme me organizata mafioze si Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita.

Gjithmonë sipas La Repubblica, Shehu përmendet edhe si donator i një sipërfaqeje prej 30 mijë metrash katrorë pranë Vlorës për një fondacion të drejtuar nga një ish-zyrtar i Interpolit, ndërsa avokati Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, përmendet si ndërmjetës në këtë proces. Aktualisht, prokuroria italiane po përpiqet të verifikojë nëse aktivitetet e Shehut dhe përmendja e tij në emisionin investigativ kanë shërbyer si motiv për atentatin. Megjithatë, pistat mbeten të hapura dhe hetimet vazhdojnë intensivisht.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit