Liqeni i Kukësit afër “pikës së vdekjes”, dalin në sipërfaqe rrënojat e qytetit të vjetër

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 21.10.2025, 11:07

Në mesin e tetorit, Kukësi po përballet me një periudhë të gjatë thatësire, e cila ka sjellë një ulje të ndjeshme të nivelit të ujit në liqenin e Fierzës. Sipas matjeve më të fundit, niveli ka zbritur në 252 metra, vetëm pak metra mbi kuotën kritike prej 240 metrash, e njohur si “pika e vdekjes”, momenti kur hidrocentralet ndalojnë prodhimin e energjisë elektrike. Niveli optimal është 271 metra, ndërsa maksimumi arrin në 296 metra.

Kjo rënie e shpejtë e ujit ka sjellë një pamje të rrallë: rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit kanë nisur të shfaqen sërish mbi sipërfaqe. Copëza muresh, struktura betoni dhe fragmente ndërtesash po dalin ngadalë në dritë, duke risjellë kujtimet e një qyteti që u zhyt nën ujë në vitet ’70, për t’i hapur rrugë ndërtimit të hidrocentralit më të madh në vend.

Herën e fundit që Kukësi i Vjetër ishte dukur mbi sipërfaqe ishte në mars të vitit 2022, pas një periudhe të ngjashme thatësire. Sot, një pjesë e madhe e shtratit të liqenit është kthyer në fushë balte dhe kullotë për bagëtitë. Drini i Bardhë dhe Drini i Zi, që dikur përziheshin për të formuar këtë liqen të madh artificial, janë kthyer në përrenj të cekët.

Në qendër të asaj që dikur ishte zemra e qytetit, kanë dalë në sipërfaqe piedestali ku më parë ishin vendosur bustet e Ahmet Zogut dhe më vonë i Skënderbeut, vepër e skulptorit të popullit Odhise Paskali, vendosur më 18 nëntor 1939.

Ndërkohë, turbinat e hidrocentralit të Fierzës janë ndalur prej disa ditësh për shkak të mungesës së ujit, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në prodhimin e energjisë elektrike në vend. Peizazhi i liqenit ngjan më shumë me një lumë të qetë sesa me një liqen akumulimi.

Kukësi, qyteti që dikur u zhyt për t’i hapur rrugë dritës, sot përballet sërish me ujërat e fatit të vet këtë herë, jo për shkak të bollëkut, por mungesës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit