Dy vëllezërit shqiptarë Klevis dhe Artur Hoxhosmani, me origjinë nga Burreli, janë arrestuar në Tiranë nën akuzën e drejtimit të një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në Evropë, raporton Daily Mail. Hetuesit pretendojnë se ata udhëhoqën një organizatë kriminale që kontrabandonte tonelata kokaine nga Amerika Latine drejt Britanisë së Madhe dhe vendeve të Bashkimit Europian, duke përdorur rrugë detare dhe tokësore. Droga fshihej në dërgesa të ligjshme, si kuti bananesh e thasë me kakao, ndërsa rrjeti i tyre i gjerë kishte bazë ekzekutive në Britani dhe lidhje të fuqishme në portet e BE-së.
Sipas Daily Mail, Klevis Hoxhosmani, i cili është në një lidhje me Kejda Ajazin, vajzën e ish-ministres shqiptare të Integrimit Europian Majlinda Bregu, shfaqej shpesh në udhëtime luksoze mes Londrës, Dubait dhe Monakos, duke ekspozuar një stil jete ekstravagant. Ai dhe vëllai i tij zotëronin biznese e prona të shumta në Britani dhe Shqipëri, përfshirë një lavazh makinash në Bournemouth dhe një jaht në Dubai. Por pasuria e tyre e dyshimtë, sipas hetuesve, ishte ndërtuar mbi bazën e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave nëpërmjet rrjeteve të koduara komunikimi si “Sky ECC”.
Autoritetet shqiptare kanë sekuestruar një sërë pasurish të vëllezërve, përfshirë makina luksoze, orë të shtrenjta dhe prona në disa vende. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i akuzon ata për krijimin e një strukture kriminale hierarkike, që lidhte furnizuesit në Kolumbi e Ekuador me tregjet evropiane të kokainës. Klevis dhe Artur Hoxhosmani ndodhen aktualisht në paraburgim në Tiranë në pritje të një gjyqi që pritet të zbulojë më shumë mbi “perandorinë” e tyre të dyshuar të drogës.