Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se forcat izraelite kanë hedhur 153 ton bomba mbi Rripin e Gazës gjatë ditës së djeshme.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kneset-it, Netanyahu tha se bombardimet ishin një përgjigje ndaj vrasjes së dy ushtarëve izraelitë nga militantët e Hamasit.
“Ne hodhëm 153 ton bomba dje në zona të ndryshme të Rripit të Gazës, pasi dy nga ushtarët tanë u vranë nga Hamasi,” deklaroi Netanyahu, duke theksuar se operacionet ushtarake do të vazhdojnë deri në “neutralizimin e plotë të kërcënimit” nga grupet palestineze.
Sipas mediave ndërkombëtare, bombardimet kanë shkaktuar shkatërrime masive dhe viktima në mesin e civilëve, ndërsa situata humanitare në Gaza vijon të përkeqësohet.
Deklarata e Netanyahut vjen mes kritikave të ashpra ndërkombëtare ndaj ofensivës izraelite dhe thirrjeve të përsëritura për armëpushim, të cilat qeveria izraelite vazhdon t’i refuzojë.