Qytetarët shqiptarë kanë marrë më pak kredi për të blerë apartamente gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, sipas raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë.
Rënia e financimeve lidhet kryesisht me vendosjen e tavaneve të reja për huatë hipotekore dhe me kufizimet e raportit mes të ardhurave dhe këstit mujor, që hynë në fuqi në korrik 2025.
Bankat raportojnë se kërkesa për kredi është tkurrur për shkak të disa faktorëve:
nevoja më e ulët për financim për blerje banesash,
pritshmëritë e pasigurta për tregun imobiliar,
përdorimi i burimeve alternative të financimit,
dhe rregulloret e reja që kanë kufizuar nivelin e huadhënies.
Sipas rregullave të reja, për banesën e parë bankat japin kredi deri në 85% të vlerës së pronës nëse ajo merret në lekë, dhe vetëm 75% nëse kredia është në valutë. Për banesën e dytë, kufiri bie në 80% në lekë dhe 70% në valutë.
Për më tepër, bankat kanë bërë më shumë refuzime të kredive, kryesisht për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme, historikut të punësimit dhe mungesës së kolateralit. Vetëm individët me histori të mirë kredie dhe marrëdhënie të qëndrueshme me bankën kanë pasur më shumë shanse për miratim.
Në tremujorin e fundit të vitit, bankat parashikojnë që kreditë për banesa do të bien më tej, ndërsa kreditë konsumatore pritet të rriten, duke reflektuar ndryshimin e prirjeve të tregut dhe shtrëngimin e kushteve për blerjen e pronave.