Forcat ruse kanë depërtuar në qytetin strategjik të Pokrovskut në rajonin e Donetskut, duke shënuar një nga humbjet më të mëdha të mbrojtjes ukrainase që prej fillimit të luftës. Qyteti i konsideruar si “kalaja” kryesore e rezistencës, ka qëndruar për më shumë se një vit nën kontrollin e Kievit, por tashmë trupat ruse kanë zënë zonën jugperëndimore dhe po përparojnë drejt qendrës.
Pokrovsku ka pasur një rëndësi të madhe logjistike, për dy vite me radhë, mijëra familje ukrainase janë evakuuar nga këtu përmes stacionit të trenit, i cili tashmë ka rënë në duart e forcave ruse. Luftimet zhvillohen derë më derë mes rrënojave dhe ndërtesave të shkatërruara, ndërsa civilët vazhdojnë të vriten. Pamje të rënda të filmuara nga dronët tregojnë trupat e pajetë nëpër rrugë dhe mbi shina treni, duke ngjallur akuza për “një Bucha të re”. Megjithatë, autenticiteti i pamjeve dhe përgjegjësitë duhet të verifikohen.
Ukraina kishte vendosur në këtë sektor njësitë më elitare, përfshirë batalionin Azov, për të mbrojtur fortifikimin jetik. Por përqendrimi i forcave në Pokrovsk ka lënë të pambrojtura fronte të tjera, duke i mundësuar ushtrisë ruse të avancojë edhe në jug, në rajonet e Dnipropetrovskut dhe Zaporizhzhias.
Para luftës, në Pokrovsk jetonin rreth 60 mijë banorë, ndërsa edhe 60 mijë të tjerë në qytetin fqinj Myrnograd, i cili gjithashtu po bie nën kontrollin rus. Forcat ukrainase ende mbajnë disa zona, por rrugët e furnizimit janë ndërprerë. Tërheqja, nëse vendoset, do të jetë shumë e vështirë.
Ndërkohë, presioni diplomatik ndaj presidentit Volodymyr Zelensky po rritet. Ish-presidenti amerikan Donald Trump kërkon dorëzimin e territoreve, ndërsa Vladimir Putin synon kontrollin e plotë të Donbassit dhe krijimin e një zone të demilitarizuar. Zelensky refuzon pa garanci të forta nga NATO ose SHBA.
Putin ka shprehur gatishmëri të ndalojë ofensivën nëse Ukraina dorëzon pa luftë qytetet e mbetura fortesa në Donbass, si Kramatorsk dhe Sloviansk – objektiva kyçe që në vitin 2014 Rusia nuk arriti t’i pushtonte. Aktualisht, rusët po afrohen nga disa drejtime dhe kanë arritur brenda distancës së artilerisë.
Nëse Kievi detyrohet të dorëzojë Donbassin e mbetur, Rusia do të siguronte një fitore të madhe strategjike dhe simbolike , njohjen de facto të Krimesë, kontrollin e Donbassit dhe pjesëve të rajoneve Zaporizhzhia, Kherson, Dnipropetrovsk, Kharkiv dhe Sumy. Me heqjen e mundshme të sanksioneve dhe rikthimin në skenën ndërkombëtare, Moska do të përfitonte ndjeshëm politikisht dhe ekonomikisht.
Ndërkohë, situata në terren është kritike. Shtatë qytete fortesa të Ukrainës janë të rrethuara ose nën sulm të drejtpërdrejtë, Pokrovsk, Myrnograd, Siversk, Kupyansk, Lyman, Vovchansk dhe Kostiantynivka. Fronti vazhdon të qëndrojë, por numri i trupave ukrainase në vijën e parë po zvogëlohet dhe rezistenca po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Lufta në lindje të Ukrainës po hyn në një fazë vendimtare, ku çdo qytet mund të përcaktojë fatin e konfliktit.