Një ndërprerje e madhe në Amazon Web Services (AWS) ka shkaktuar probleme serioze në disa prej aplikacioneve dhe faqeve më të njohura në botë, përfshirë Snapchat, Roblox, Fortnite, Duolingo dhe Canva.
Sipas faqes së monitorimit Down Detector, përdorues nga mbarë bota kanë raportuar se aplikacionet janë jashtë funksioni, nuk dërgojnë mesazhe ose nuk hapen fare.
Problemet lidhen me një defekt në sistemin e AWS, një nga shërbimet më të mëdha të cloud-it në botë, që mbështet pjesën më të madhe të platformave online.
Në njoftimin e saj, Amazon bëri të ditur se po përballet me “rritje të shkallës së gabimeve” dhe “vonesa në disa prej shërbimeve AWS”, por se ekipi teknik po punon për zgjidhjen e situatës.
Ndërkohë, gjatë kësaj ndërprerjeje, në rrjete po qarkullon edhe një mesazh mashtrues (hoax) që pretendohet si “njoftim zyrtar nga Snapchat”.
Në të thuhet se përdoruesit duhet ta shpërndajnë mesazhin te 20 persona, përndryshe llogaria e tyre do të pezullohet ose do të hakohen brenda 2 orësh.
Në realitet, Snapchat nuk ka dërguar asnjë njoftim të tillë, dhe ky është një mesazh i rremë që përhapet për të shkaktuar panik dhe për të mbledhur të dhëna nga përdoruesit.
