Altin Sinomati, shtetas shqiptar i kërkuar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe, pas një operacioni të përbashkët mes Shërbimit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë dhe hetuesve lokalë. Ai akuzohet si porositësi i vrasjes së Selavdi Shehaj, i njohur si “Passerotto”, e ndodhur më 20 shtator 2019 në plazhin e Torvaianica, një atentat i lidhur me larje hesapesh mes klaneve të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Sipas hetimeve të karabinierëve italianë, shkruan Corriere della sera, Sinomati kishte porositur vrasjen e Shehajt duke i paguar 150 mijë euro Raoul Esteban Calderón, ekzekutor i njohur i krimeve me sfond mafioz. Calderón është dënuar më parë me burgim të përjetshëm për vrasjen e Fabrizio Piscitellit, i njohur si “Diabolik”, kreu i tifozëve ultras të Lazios, i cili u ekzekutua më 7 gusht 2019 në një park në Romë.
Altin Sinomati është dënuar gjithashtu në Itali së bashku me Giuseppe Molisso, një tjetër figurë kyçe e trafikut të drogës në kryeqytet. Emri i Molisso është përmendur edhe në hetimet më të fundit për atentatin ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, sulm i ndodhur së fundmi para banesës së tij në Campo Ascolano, pranë Torvaianicas. Ngjarjet konfirmojnë edhe njëherë lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar dhe dhunës mafioze në Itali.