Një tragjedi e rëndë ka goditur familjen Hazisllari, vetëm dy ditë pasi kishin festuar me gëzim ditëlindjen e vajzës së tyre 6-vjeçare. Sot, dera e shtëpisë është hapur për mort, pasi në një zjarr të përmasave tragjike humbën jetën në mënyrë të dhimbshme Rrahime Hazisllari, 40 vjeçe, dhe djali i saj Luka, vetëm 14 vjeç.
Zjarri shpërtheu në banesën e familjes, duke i zënë brenda anëtarët e familjes. Fatkeqësisht, Rrahime dhe Luka nuk arritën të shpëtonin. Vajza e vogël 6-vjeçare, e cila vetëm pak ditë më parë festoi ditëlindjen, ndodhet në gjendje kritike për jetën, e intubuar në repartin e urgjencës pediatrike në QSUT. Burime mjekësore bëjnë me dije se ajo ka pësuar djegie në rreth 45% të trupit, kryesisht në fytyrë dhe në duar.
Pamjet dhe emocionet e ditëlindjes ende janë të freskëta në rrjetet sociale. Vetëm dy ditë më parë, babai i saj, Valentino Hazisllari, kishte postuar një foto të vajzës me mbishkrimin prekës: "Edhe 100 të tjera zemra e babit." Sot, ai përballet me një dhimbje të paimagjinueshme, mes humbjes së djalit, bashkëshortes dhe rrezikut për jetën e vajzës së vogël.

Shkaqet e zjarrit janë ende nën hetim nga autoritetet, ndërsa komuniteti dhe të afërmit janë tronditur nga ngjarja e rëndë që ka kthyer një festë familjare në një makth të vërtetë.