Altin Sinomati, i njohur edhe me nofkën “Il Lungo”, është arrestuar më 10 tetor në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas mediave italiane, ai akuzohet si porositësi i vrasjes së shqiptarit Selavdi Shehaj, i njohur si Passerotto, i ekzekutuar më 20 shtator 2020 në plazhin e Torvaianicës, Itali. Prokuroria italiane dyshon se Sinomati i dha 150 mijë euro vrasësit me pagesë Raul Esteban Calderon për të kryer atentatin.
Sinomati ishte në kërkim prej vitesh jo vetëm për këtë krim, por edhe për përfshirje në një rrjet të fuqishëm trafikimi droge që vepronte në Romë, i udhëhequr nga Giuseppe Molisso dhe Leandro Bennato. Organizata u godit nga policia më 18 mars 2025, në një operacion që pasoi arrestimin e Calderon. Gjatë këtij aksioni, Sinomati arriti t’i shpëtonte arrestimit dhe u arratis drejt Emirateve.
Hetimet kundër tij u thelluan pas zbërthimit të komunikimeve të koduara në platformën Sky ECC, ku Sinomati diskutohej si furnizues i kokainës dhe besohet se kishte rol qendror në planifikimin e vrasjes së Shehajt. Calderon dhe bashkëpunëtori i tij Giuseppe Molisso janë dënuar tashmë me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Frosinones, ndërsa arrestimi i Sinomatit pritet të jetë një hap kyç në zbardhjen e plotë të ngjarjes.