Një avion transporti mallrash ka dalë nga pista dhe ka përfunduar në det gjatë uljes në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut në orët e para të mëngjesit të së hënës, duke shkaktuar një tragjedi me dy viktima të konfirmuara.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një avion tip Boeing 747 me ngjyrat e ACT Airlines, i cili po operonte një fluturim për kompaninë Emirates nga Dubai. Fotot e publikuara pas aksidentit tregojnë aeroplanin e ndarë në dy pjesë, me trupin pjesërisht të zhytur në ujë pranë mureve mbrojtëse të aeroportit.
Në momentin e përplasjes, në bord ndodheshin katër anëtarë ekuipazhi, të cilët fatmirësisht janë shpëtuar. Ndërkohë, pesë punonjës të aeroportit ndodheshin në afërsi të pistës, dy prej të cilëve kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër u raportua fillimisht i zhdukur.
Autoritetet e Departamentit të Aviacionit Civil të Hong Kongut konfirmuan se avioni “devijoi nga pista veriore menjëherë pas uljes dhe përfundoi në det”.
Pista veriore është mbyllur përkohësisht pas incidentit, ndërsa pistat jugore dhe qendrore të aeroportit vazhdojnë të jenë funksionale. Pavarësisht ngjarjes së rëndë, zyrtarët thanë se trafiku ajror nuk do të ndikohet ndjeshëm.
Në një deklaratë zyrtare, Emirates njoftoi se fluturimi EK9788 “pësoi dëmtime gjatë uljes në Hong Kong” dhe se “nuk kishte ngarkesë në bord”. Sipas linjës ajrore, avioni ishte me qira nga kompania turke ACT Airlines, e cila ofron kapacitete shtesë transporti për kompani të tjera ndërkombëtare.
Hetimet për shkaqet e aksidentit kanë nisur, ndërsa ekipet e shpëtimit dhe inxhinierët e aviacionit po punojnë për të nxjerrë mbetjet e avionit nga deti dhe për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes.