Një video e publikuar në rrjete sociale po qarkullon me shpejtësi, duke treguar momentet pas sulmeve ajrore izraelite në Rripin e Gazës, ku sipas autoriteteve lokale janë vrarë të paktën 45 persona.
Në pamje shihen disa banesa të përfshira nga flakët, ndërsa qytetarët, mes tyre gra e fëmijë, vrapojnë të tmerruar për të shpëtuar.
Sipas raportimeve nga terreni, sulmet kanë goditur disa zona në jug të Gazës, përfshirë Khan Younis, Rafah, Nuseirat dhe Al-Zawaida, ku një pjesë e madhe e ndërtesave janë shkatërruar.
Burime nga katër spitale të ndryshme në Gaza, Al-Awda, Al-Aqsa, Nasser dhe Al-Shifa, kanë konfirmuar për AFP numrin e viktimave, ndërsa dhjetëra të tjerë ndodhen në gjendje kritike.
Në Al-Awda u raportuan 24 të vdekur dhe 73 të plagosur, në Al-Aqsa 12 viktima, në Nasser 5, dhe në Al-Shifa 4. Midis tyre ka edhe fëmijë dhe gra.
Ushtria izraelite (IDF) deklaroi se sulmet ishin “përgjigje ndaj shkeljes së armëpushimit nga Hamas”, pas një incidenti në Rafah ku dy ushtarë izraelitë mbetën të vrarë. “IDF do të vazhdojë të mbrojë marrëveshjen e armëpushimit, por do të reagojë me forcë ndaj çdo shkeljeje të saj,” thuhet në reagimin zyrtar.
Nga ana tjetër, Hamas e ka akuzuar Izraelin për “shkelje të përsëritura të armëpushimit”, duke pretenduar se që nga 10 tetori janë vrarë mbi 50 palestinezë dhe janë plagosur mbi 130 të tjerë. Grupi palestinez ka theksuar se mbetet “plotësisht i përkushtuar ndaj marrëveshjes” dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Egjiptit dhe Katarit për të ndalur sulmet.
Ndërkohë, autoritetet lokale paralajmërojnë për një përkeqësim të mëtejshëm të krizës humanitare, pasi dërgimi i ndihmave dhe karburantit është pezulluar, ndërsa qindra familje po braktisin banesat nga frika e rikthimit të luftimeve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga tetori 2023, më shumë se 68,200 persona janë vrarë dhe mbi 170,000 janë plagosur nga lufta në këtë territor.