Arbër Ademi nga AKI: Kemi fituar në Gostivar, jemi në balotazh në Kërçovë e Strugë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 19.10.2025, 22:02

Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi në një konferencë për media pas përfundimit të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se kanë fituar në komunën e Gostivarit pa balotazh, ndërsa do të përballen në raundin e dytë në balotazh në Kërçovë dhe Strugës.

Në një konferencë për media ai tha se këto zgjedhje kanë qenë më shumë se sa zgjedhje lokale dhe se Aleanca Kombëtare për Integrim i konsideron këto zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, teksa për lëshimet e mundshme barra e përgjegjësisë i takon pushtetit, raporton KosovaPress.

Ademi: Kemi fituar në Gostivar, jemi në balotazh në Kërçovë e Strugë

“Po shpallim rezultatet edhe në tri komunat e tjera. Në komunën e Gostivarit, pa balotazh, qysh në raundin e parë, me një diferencë tejet të thellë 6:1. Qe sonte kryetar i ardhshëm i komunës së Gostivarit është kandidati i AKI-së Valbon Limani. Në dy komunat e tjera, në Kërçovë dhe Strugë, kandidatët tanë shkojnë në balotazh kundrejt dy kandidatëve të VMRO-DPMNE-së në këto komuna. Në Kërçovë Fatmir Dehari shkon në balotazh me kandidatin e VMRO-s Jovanovski, ndërsa në komunën e Strugës kandidati i AKI-së shkon në balotazh me Menduh Qyra”, ka thënë ai.

Maqedonia e Veriut sot ka mbajtur zgjedhjet e rregullta komunale. Vendvotimet janë mbyllur në orën 19:00. Rezultatet preliminare do të shpallen pas mesnatës, ndërkohë që po numërohen votat në të gjitha komunat.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit