Autoritetet italiane kanë identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit shqiptar, Hekuran Cumani, i cili humbi jetën pas një konflikti me thikë përpara një lokali nate në zonën universitare të Perugias.
Informacionet e para u siguruan nga miqtë e viktimës, të cilët dhanë dëshmi para hetuesve. Dëshmitarët okularë i konfirmuan këto të dhëna, duke ndihmuar në identifikimin e autorit, i cili dyshohet të jetë një i ri me origjinë nga Tunizia.
Sipas hetimit paraprak, Hekuran Cumani, vëllai i tij Samuel dhe disa miq të tjerë ishin nisur nga Fabriano, në rajonin e Markes, për të kaluar mbrëmjen në Perugia, ashtu si çdo natë. Brenda në lokal, rreth njëzet persona nga dy grupe të ndryshme u përfshinë në një konflikt për arsye banale. Ndërhyrja e stafit të sigurisë duket se e qetësoi situatën përkohësisht.
Megjithatë, rreth orës 04:00 të mëngjesit, pasi lokali ishte mbyllur dhe palët kishin dalë jashtë, debati rifilloi. Pikërisht në atë moment, autori i dyshuar nxori dy thika , një më të madhe dhe një më të vogël , dhe sipas dëshmitarëve, fillimisht plagosi lehtë Samuel Cumanin. Më pas iu drejtua Hekuranit dhe e goditi me thikë në kraharor, duke e lënë të vdekur në vend.
Dyshohet se autori ka mundur të mbërrijë në një moment të dytë ose t’i ketë marrë thikat nga një automjet i parkuar, pasi në hyrje të lokalit përdoren detektorë metalesh dhe brenda nuk lejohet hyrja me armë të ftohta. Deri më tani, arma e krimit nuk është gjetur, pasi autori dhe grupi i tij janë larguar nga vendngjarja duke e marrë me vete gjatë arratisjes.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të dokumentuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe po punojnë për kapjen e autorit të dyshuar.