Prangosja e paprecedentë e avokatit dhe hetimet e zvarritura prej vitesh nga prokurori Gjergj Ceka

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 19.10.2025, 14:50

Arrestimi i avokatit Ulian Barjami pas një deklarate brenda sallës së gjyqit ka hapur një debat të ashpër mbi të drejtën e mbrojtjes dhe kufizimin e fjalës së lirë në sistemin shqiptar të drejtësisë. Avokati Barjami u ndalua pasi njoftoi se do të kallëzonte penalisht prokurorin Gjergji Ceka dhe disa oficerë të policisë gjyqësore për “manipulim provash” kundër klientit të tij. Reagimi i prokurorit Ceka ishte i menjëhershëm, duke kërkuar që avokati të arrestohej. Dhoma e Avokatisë e ka cilësuar këtë ngjarje si një precedent të rrezikshëm dhe të papranueshëm në një shtet ligjor, duke paralajmëruar një cenim serioz të profesionit të avokatit dhe funksionit të tij në procesin penal.

Prokuroria e Elbasanit publikoi një audio të prerë për të justifikuar arrestimin, por audioja e plotë, e publikuar më pas nga avokati Arben Llangozi, tregoi se nuk kishte asnjë element kërcënimi. Ky veprim është parë si një tentativë e qartë për të manipuluar provat dhe për të ndikuar opinionin publik në mbrojtje të prokurorit Gjergji Ceka. Llangozi deklaroi se Barjami ndodhet përballë një sistemi që tenton ta shkatërrojë vetëm pse refuzoi të bëhej pjesë e “lojës së pistë”. Ngjarja i ka vënë një pasqyrë të zymtë sistemit të drejtësisë, ku në vend që të garantohet një proces i drejtë, ndëshkohen ata që ngrejnë zërin kundër abuzimeve.

Prokurori Gjergji Ceka është përfshirë edhe më parë në raste të hetimeve të zvarritura dhe veprimeve të pajustifikuara. Në fund të vitit 2019, një aksident automobilistik në Pogradec, nën hetimin e tij, nuk përfundoi as në vitin 2021, duke tejkaluar çdo afat ligjor të parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale. Edhe pse ekspertiza teknike ishte kryer dhe provat materiale ishin të qarta, mjetet e përfshira në aksident qëndruan të sekuestruara për më shumë se dy vjet pa asnjë zhvillim konkret.

Në një tjetër rast në Pogradec, prokurori mbajti për 4 muaj të bllokuar një automjet Mercedes ML të një kompanie që jep makina me qira, edhe pse autori i transportit të paligjshëm të emigrantëve ishte arrestuar dhe nuk kishte asnjë lidhje me kompaninë. Vetëm pas ndërhyrjes publike, mjeti iu kthye pronarëve. Po ashtu, në Korçë, qytetari Kostandin Beqirllari u përball me një proces absurd për vjedhje në bashkëpunim, edhe pse kishte dorëzuar menjëherë një bombul të marrë aksidentalisht dhe rasti ishte sqaruar në prani të policisë. Sërish, prokurori Ceka hapi çështje dhe e çoi në gjykatë, duke e mbajtur të hapur pa bazë ligjore.

Në të gjitha këto raste, është e qartë një sjellje sistematike e zvarritjes së drejtësisë dhe e mbajtjes së padrejtë të provave materiale. Arrestimi i Ulian Barjamit duket se është një vazhdimësi e të njëjtës praktikë, ku përndiqet kushdo që tenton të nxjerrë në pah shkeljet, në vend që të hetohen përgjegjësit. Në vend që të kërkohet e vërteta, goditet zëri që guxon të flasë. Dhe kur ndodh kjo brenda sallës së gjyqit, aty ku ligji duhet të jetë i shenjtë, atëherë drejtësia nuk është më e verbër është thjesht e kapur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit