Banorët e Bulqizës kanë ngritur shqetësimin për një fenomen të rëndë mjedisor që po ndodh pranë minierave të kromit.
Sipas tyre, kompanitë që shfrytëzojnë minierat po hedhin sterilin minerar — mbetjet e gurëve dhe dheut që dalin nga galeritë mbi zonat pyjore ku më parë ndodheshin pisha shumëvjeçare, duke shkatërruar peizazhin dhe gjelbërimin karakteristik të vendit.
Banorët pohojnë se hedhja e materialit ka nisur prej kohësh dhe se tashmë malet me mbetje po afrohen drejt qytetit, duke rrezikuar shtëpitë dhe tokat përreth. Ata theksojnë se dikur zona ku sot grumbullohen mbetjet ka qenë e gjitha e mbuluar me pisha të mëdha, ndërsa tani është shndërruar në një fushë inertesh minerare.
Sipas tyre, askush nga institucionet nuk ka reaguar, ndërsa çdo ditë situata përkeqësohet. Banorët shprehen se miniera “po zbret” drejt qytetit dhe se rreziku për rrëshqitje materialesh apo ndotje të ajrit është gjithnjë e më i madh.
Sipas banorëve kjo veprimtari po zhvillohet pa leje mjedisore dhe pa ndonjë kontroll nga autoritetet lokale.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia Bulqizë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për të verifikuar situatën dhe për të ndaluar dëmtimet e mëtejshme.
Sipas komunitetit, ajo që po ndodh në Bulqizë përbën një “masakër mjedisore” të mirëfilltë, që po shkatërron pyjet shumëvjeçare dhe po ndot ajrin e qytetit. Ata kërkojnë përgjegjësi dhe hetim për dëmet e shkaktuara, duke e konsideruar këtë si një shembull të qartë të mungesës së kontrollit mbi aktivitetet minerare në vend.
Denoncimi i qytetarëve:
Pyesim pak qytetaret ca mendimi kan qe oligarkia pronaret e minjerave te kromit mbulojne pishat shum vjeçare me sterilin minerar,ndersa me posht ajo minjera e madhe po mbulon qytetin a esht ne rregull kjo gje? Ne bulqize ndodh ky fenomen ju hedhin matrialin e minjerave siper qe nga ajo viza kuqe qe kam vizuar un ka qen vendi gjith pisha shum vjecare dhe esht fatkeqesi e madhe qe te shkatrohen vendi ashtu te mbulohen, minjerat e zones par bulqize quhet vendi. Masaker mjedisore pa asnje lloj leje i shkatrojne ata pisha qe jan jet frym per njerezit