Atentati me eksploziv ndaj gazetarit italian, hijet e dyshimit bien mbi grupet kriminale shqiptare

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 19.10.2025, 13:01

Sipas mediave italiane, atentati me eksploziv ndaj gazetarit dhe prezantuesit të njohur të “Report”, Sigfrido Ranucci, po zbardhet gjithnjë e më shumë si një akt tipik mafioz, i planifikuar me kujdes dhe me qëllim frikësimin e tij. Ekspertët e hetimit kanë zbuluar se pajisja ishte ndezur manualisht, ndërsa autorët duket se e kanë ndjekur për ditë të tëra përpara se të vepronin.

Burime nga Direzione Distrettuale Antimafia e Romës bëjnë me dije se po hetohen disa pista paralele, që përfshijnë qarqet e ekstremit të djathtë, grupet ultras, por edhe elementë të krimit shqiptar. Sipas La Repubblica, hetuesit kanë evidentuar se shpërthimi mban ngjashmëri me disa sulme të tjera që kanë ndodhur përgjatë bregdetit romak gjatë verës së 2024-ës, zona ku grupe shqiptare kontrollojnë një pjesë të trafikut të drogës dhe të aktivitetit të paligjshëm.

Il Fatto Quotidiano shton se, pas hetimeve të “Report” mbi marrëveshjet e emigracionit dhe lidhjet e ultrasve me klanet kriminale shqiptare, Ranucci kishte marrë disa kërcënime, përfshirë një telefonatë që paralajmëronte një “dosje” kundër tij. Hetuesit nuk përjashtojnë që sulmi të ketë qenë një paralajmërim për çështjet që gazetari do të publikonte në sezonin e ri të emisionit.

Pajisja shpërthyese, një bombë rudimentare me rreth një kilogram eksploziv, shkatërroi dy automjetet e Ranuccit, vetëm 20 minuta pasi vajza e tij ishte kthyer në shtëpi. “Një akt i ftohtë frikësimi”, e kanë quajtur ekspertët italianë, ndërsa drejtoria antimafia po kërkon në detaje për gjurmët e ADN-së ose firmat e kimike të autorëve.

Për momentin, asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por dinamika dhe vendndodhja e ngjarjes, sipas hetuesve italianë, “tregojnë për dorën e organizatave që e njohin mirë territorin dhe mënyrën e komunikimit të botës së nëndheshme”.

Në dosjet e autoriteteve figurojnë tashmë rreth 30 kërcënime ndaj gazetarit nga viti 2021 deri sot. Kjo ngjarje e fundit vetëm sa e thellon dyshimin se lidhjet mes mafies italiane dhe rrjeteve kriminale shqiptare po bëhen gjithnjë e më të dukshme edhe në zemër të Italisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit