Një vjedhje spektakolare ka ndodhur ditën e sotme Muzeun e Luvrit në Paris, i cili do qëndrojë i mbyllur gjatë gjithë ditës për “arsye të jashtëzakonshme”.
Sipas raportimeve të mediave franceze, një numër i panjohur hajdutësh, të armatosur me sharra elektrike, u futën në ambientet e muzeut dhe u larguan me bizhuteri historike. Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, konfirmoi ngjarjen në platformën X (ish-Twitter), duke shkruar: “Një grabitje ndodhi këtë mëngjes në hapjen e Muzeut të Luvrit.”
Policia franceze bëri të ditur se një ose disa persona kishin depërtuar në muze, por pa dhënë detaje për veprat e mundshme të vjedhura. Sipas një burimi policor të cituar nga AFP, hajdutët mbërritën me skuterë, të pajisur me sharra të vogla elektrike, dhe përdorën një ashensor mallrash për të arritur në dhomën që kishin në shënjestër.
Gazeta Le Parisien raportoi se grabitësit hynë në ndërtesë nga fasada që shikon drejt lumit Senë, ku aktualisht po kryhen punime ndërtimi. Ata përdorën ashensorin e mallrave për të hyrë drejtpërdrejt në Galerinë Apollo, ku, pas thyerjes së dritareve, vodhën “nëntë pjesë nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës”.
Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa hetimet janë në vazhdim. Autoritetet e muzeut nuk kanë dhënë ende komente shtesë.