Sot në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët do të zgjedhin kryetarët e 81 komunave dhe anëtarët e këshillave komunalë, përfshirë edhe drejtuesin e qytetit të Shkupit. Votimi nisi në orën 07:00 dhe do të mbyllet në 19:00, me mbi 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote të regjistruar në listat zgjedhore. Zgjedhjet po zhvillohen në 3,474 qendra votimi dhe po monitorohen nga 1,451 vëzhgues, prej të cilëve 644 janë ndërkombëtarë.
Në këtë proces zgjedhor marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe të pavarura qytetarësh, me gjithsej 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për këshilla komunalë. Shkupi është zona më e nxehtë e garës, me 16 kandidatë që pretendojnë drejtimin e kryeqytetit. Sipas sondazheve të fundit, VMRO-DPMNE pritet të sigurojë shumicën e komunave, ndërsa LSDM, pas krizës së brendshme dhe humbjes në zgjedhjet parlamentare të majit, hyn në këtë garë me pozita të dobësuara.
Gara më e fortë zhvillohet në komunat me shumicë shqiptare, ku beteja politike është përqendruar mes koalicionit qeveritar shqiptar VLEN dhe opozitës së bashkuar në Aleancën Kombëtare për Integrim, të udhëhequr nga BDI. Betejat më të ngushta priten në rreth 15 komuna me shumicë shqiptare, ku pjesëmarrja dhe rezultati do të jenë vendimtare për ekuilibrat e ardhshëm politikë në vend. Autoritetet zgjedhore janë angazhuar për një proces të qetë dhe demokratik.