Një video e dërguar në redaksinë e JOQ Albania tregon një skenë shqetësuese të filmuar te kryqëzimi i rrugës Siri Kodra me Unazën në Tiranë, ku një burrë në gjendje të dehur ecte në mes të rrugës, duke sharë dhe duke krijuar rrezik real për qarkullimin.
Sipas qytetarit që na dërgoi pamjet, episodi është regjistruar mbrëmjen e kësaj të shtune. “Ai po ecte në mes të rrugës dhe po shante, u bë burim aksidenti,” thotë dëshmitari.
Pamjet tregojnë që disa drejtues mjetesh ishin të detyruar të frenonin papritur për të shmangur përplasjen, ndërsa disa makina manovruan për të mos e përplasur.
Nga video dhe dëshmia e qytetarit duket qartë se personi në fjalë paraqet rrezik jo vetëm për veten, por edhe për përdoruesit e tjerë të rrugës, një situatë që mund të përfundonte me aksident. Redaksia jonë i bën thirrje palëve zyrtare që të ndërhyjnë shpejt dhe me masa për parandalimin e incidenteve të tilla.