“Makina me shpejtësi skëterrë vrau tre kuaj, drejtuesi ja hodhi paq me një gjobë”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.10.2025, 23:06

Një aksident është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Kardhiq–Delvinë, ku një automjet që po lëvizte me shpejtësi tej normave ka përplasur tre kuaj, të cilët kanë ngordhur në vend.

Pamjet e dërguara në redaksinë e JOQ Albania janë të rënda, ku trupat e kuajve shihen të shtrirë në mes të rrugës.

Sipas dëshmitarëve, kuajt ishin të racës arabe dhe kishin vlerë të lartë financiare. Pronari i tyre, një i ri i njohur në zonë për pasionin ndaj hipizmit, ka mbetur i shkatërruar shpirtërisht dhe ekonomikisht, pasi këta kuaj ishin jeta dhe puna e tij e përditshme.

Pavarësisht ngjarjes së rëndë, dëshmitarët pohojnë se policia është mjaftuar vetëm me një gjobë 30 mijë lekë të vjetra ndaj shoferit, pa marrë masa të tjera, ndonëse ai po udhëtonte me shpejtësi të madhe në një zonë të banuar.

“E kuptoj që kuajt mund të kenë dalë në rrugë, por kjo nuk justifikon shpejtësinë e lartë. Ajo nuk është pistë gare, aty ka njerëz e gjallesa. Jeta e çdo krijese ka vlerë”, është shprehur dëshmitari që dërgoi pamjet.

Ai i bën thirrje shtetit të marrë masa dhe të dëmshpërblejë pronarin, duke theksuar se një gjobë simbolike nuk mund të justifikojë humbjen e tre jetëve dhe gjithë asaj dhimbjeje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit