Një histori plot humor dhe kreativitet po bën xhiron e rrjeteve sociale në Britani. 22-vjeçarja Katie Allan, nga Macclesfield në Cheshire, vendosi të përballet me ndarjen në një mënyrë krejt origjinale — duke e kthyer tatuazhin me emrin e ish-it në diçka të re.
Në nëntor të vitit të kaluar, Katie kishte bërë tatuazh në ije emrin e të dashurit të saj, Ryan, pavarësisht se ai e kishte vënë në dyshim guximin e saj, duke i thënë: “Ti s’e bën dot kurrë.” Ajo ia vërtetoi të kundërtën, por lidhja përfundoi në korrik të këtij viti.
Pas ndarjes, 22-vjeçarja nuk dinte çfarë të bënte me tatuazhin që i kujtonte ish-in, derisa një ide e pazakontë i lindi teksa bisedonte me shoqet: ta kthente “Ryan”-in në “Ryanair”, emrin e kompanisë së njohur ajrore britanike me kosto të ulët.
Vetëm dy javë pas ndarjes, Katie udhëtoi për në Ibiza me Ryanair dhe tha se “tatuazhi dukej si një shenjë fati”. Më 9 tetor, ajo u rikthye tek i njëjti artist tatuazhesh dhe shtoi pjesën “air” falas, duke e kthyer gabimin e dashurisë në një simbol humori.
Në një video të postuar në TikTok, me më shumë se 700 mijë shikime, Katie e quajti këtë “tatuazhin e saj të preferuar deri tani”, ndërsa komentuesit e kanë përgëzuar për zgjuarsinë dhe humorin.
“E dua këtë tatuazh, s’ka rëndësi nëse njerëzit mendojnë se është budallallëk,” tha ajo me të qeshur, duke shtuar me ironi: “Nuk po kërkoj biletë falas për gjithë jetën, por ndoshta Ryanair mund të më dërgojë në Ibiza një herë pa pagesë!”