Një qytetar ka raportuar pranë JOQ për gjendjen e keqe të rrugës në zonën e Tufinës, e cila sipas tij është dëmtuar rëndë nga kalimi i vazhdueshëm i kamionëve të tonazhit të lartë. Shtimi i trafikut dhe mungesa e mirëmbajtjes e kanë bërë rrugën të vështirë për t’u përdorur nga automjetet e zakonshme.
Ai thekson se situata rëndohet edhe nga parkimi i mjeteve në të dy anët e rrugës, duke e ngushtuar ndjeshëm hapësirën për lëvizje. Po ashtu, punimet e OSHEE-së për vendosjen e kabujve kanë lënë pas kanale të hapura dhe rruga aktualisht është e përdorshme vetëm në një korsi.
Qytetari kërkon që institucionet përkatëse të marrin masa për rregullimin e situatës, pasi kjo rrugë ka një fluks të lartë lëvizjeje dhe lidh zonën me Rrugën e Arbërit.
Mesazhi denoncues
Përshëndetje JOQ!
Dëshiroj të bëj një denoncim për gjendjen e rrugës në Tufinë, e cila ndodhet në gjendje shumë të keqe për shkak të faktorëve të mëposhtëm:
1. Rruga është e shkatërruar nga kalimi i kamionëve në çdo orar, duke e bërë të vështirë lëvizjen e automjeteve.
2. Parkimi i makinave në të dy anët e rrugës ngushton trafikun dhe bën të pamundur lëvizjen normale.
3. Punimet nga OSHEE për vendosjen e kabujve elektrikë kanë shkaktuar hapje anash rrugës, duke e bërë rrugën të përdoret vetëm në një korsi të vetme dhe duke rritur rrezikun për dëmtimin e automjeteve për shkak të kanaleve dhe baltës të lënë pas.
Rruga lidh Rrugën e Arbërit dhe ka fluks të lartë të lëvizjes, sidomos gjatë fundjavave, dhe gjendja aktuale e saj po krijon pengesa serioze dhe rrezik për qytetarët.
Uroj të merren masa sa më shpejt!
Faleminderit!