Bypass-i i Vlorës pa tabela: Mirë unë jam vlonjat, po të tjerët si të orientohen?

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 18.10.2025, 13:56

Në Shqipëri, gjithçka nis me bujë dhe përfundon me një “detaj” që prish gjithë punën. Rrugët ndërtohen, prerjet e shiritave bëhen me kamera, por tabela? Ajo harron të vijë. Dhe ja ku jemi, në Vlorë, ku një bypass i ri, i shtruar e i reklamuar si arritje madhore, s’tregon as edhe një herë të vetme se ku ndodhet qendra e qytetit.

Një vlonjat, i lodhur nga kthesat dhe rrethrrotullimet e pafundme, e tha më qartë se kushdo: “Mirë unë që jam vendas, po një i huaj si do e gjej qendrën?” Dhe ka të drejtë. Si mund të flasim për turizëm elitar kur turisti endet rrugëve si në labirint, duke kërkuar qendrën e një qyteti bregdetar që s’di si ta tregojë vetveten?

Kjo është Shqipëria e kontrasteve: bëjmë bypass-e miliona euro, por harrojmë një tabelë 30 euro. Krijojmë rrugë që të çojnë askund, me sinjalistikë të munguar dhe orientim që mbetet në dorë të fatit. E gjithë kjo tregon një kulturë pune që mbaron sapo fiket kamera e inaugurimit.

Në çdo vend normal, rruga pa tabelë është e papërfunduar. Tek ne, është e përuruar. Një tabelë që tregon “Qendër Vlorë” nuk është luks — është nevojë bazë, ashtu si drita e kuqe në semafor apo shenja “Stop”. Por këtu, gjithçka shihet me logjikën e “mjafton të duket mirë në foto”.

Ndërkohë, qytetari që paguan taksa endet nëpër bypass si në garë orientimi. Ai kërkon qendrën e Vlorës, por gjen vetëm asfalt të sheshtë dhe një horizont pa udhëzim. Mbase është kjo arsyeja pse shumë thonë se në Shqipëri “humbet dasma për një kokërr qepë”. Ne dimë të bëjmë shumë zhurmë, por jo të përfundojmë punën siç duhet.

Një tabelë nuk është shumë për të kërkuar. Por është e mjaftueshme për të treguar nëse një pushtet funksionon apo vetëm bën propagandë. Nëse nuk je në gjendje të tregosh ku është qendra e qytetit, atëherë ndoshta s’e di as vetë ku po e çon vendin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit