Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Perugias në Itali, ku gjatë natës është vrarë me thikë një 23-vjeçar me origjinë shqiptare, Hekuran Cumani. I riu, i lindur dhe rritur në Itali, në qytetin e Fabrianos, por me rrënjë shqiptare, u godit për vdekje në qafë gjatë një sherri që nisi për arsye të kota dhe përfundoi në tragjedi.
Ngjarja ka ndodhur në parkingun pranë fakultetit të Matematikës. Sipas mediave italiane, Hekurani ndodhej me disa miq për një mbrëmje argëtimi në qytet dhe pas disa ndalesave në lokale, grupi ishte drejtuar tek “110 Caffè”, vendi ku ndodhi krimi.
Aty janë përballur me një tjetër grup të rinjsh, të cilët sipas dëshmive të para, ishin të huaj por banorë të Perugias. Pas një debati verbal, situata ka degjeneruar në dhunë. Një nga personat e grupit tjetër e ka goditur Hekuranin me një thikë në zonën e qafës e të gjoksit, duke e lënë të pajetë në vend.
Në vendngjarje mbërriti menjëherë ambulanca, por mjekët nuk mundën ta shpëtonin 23-vjeçarin. Gjurmët në asfalt tregojnë se ai është përpjekur të largohet për disa metra pas goditjes, përpara se të binte përtokë pranë hyrjes së fakultetit.
Policia italiane ka marrë në pyetje të gjithë miqtë e viktimës, të cilët kanë dhënë detaje të rëndësishme për identifikimin e autorit të dyshuar. Aktualisht po vazhdojnë marrjet në pyetje të dëshmitarëve, ndërsa hetimet janë përqendruar në rikonstruktimin e saktë të ngjarjes dhe kapjen e vrasësit.
Autoritetet italiane theksojnë se motivi i vrasjes nuk lidhet me çështje droge apo universitare, por me një konflikt të çastit që përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme.