Gjykata e Tiranës ka vendosur pezullimin e çdo vendimi të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025. Në bazë të vendimit, pezullohet edhe e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin për këtë çështje, duke vendosur tre individë nën akuzë biznesmenin Behgjet Pacolli, vëllanë e tij Emin Pacolli dhe Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë zvicerane Mabco Construction S.A. Nelson Çela dha dëshmi në Prokurori dhe më pas dorëhoqi funksionin e administratorit. Të tre janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik dhe falsifikim dokumentesh.
Gjykata nënvizon se Aeroporti i Vlorës ka rëndësi strategjike kombëtare dhe çdo veprim i paautorizuar rrezikon interesin publik dhe sigurinë e vendit. Sipas vendimit, kontrata e dyshuar e huasë prej 100 milionë eurosh me një subjekt të paidentifikuar paraqet rrezik për kalimin e kontrollit të aeroportit te një entitet i huaj, duke prekur drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.