Jo për plazh apo udhëtime: 37% e amerikanëve marrin pushime vetëm për të fjetur gjumë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.10.2025, 01:15

Një numër i madh amerikanësh po përdorin ditët e pushimit për të fjetur dhe për t’u çlodhur, në vend që t’i shfrytëzojnë për udhëtime apo argëtim, sipas një studimi të ri të Amerisleep.com.

Nga anketimi i mbi 1200 amerikanëve, 37% kanë pranuar se gjatë vitit të kaluar kanë përdorur ditët e pushimit vetëm për të pushuar dhe rifituar energji. Sipas raportit, lodhja e përgjithshme dhe kostoja e lartë e jetesës janë arsyet kryesore pse shumë punonjës heqin dorë nga udhëtimet.

Një në tre punonjës në SHBA përdor pushimet për t’u rikuperuar nga rraskapitja, me përqindjen më të lartë te gjenerata e 'mijëvjeçarëve' (43%), pasuar nga Gjenerata X (34%), Gjenerata Z (33%) dhe Baby Boomers (20%).

“Shumë amerikanë po përdorin pushimet vetëm për të fjetur e për të marrë veten, sepse po përballen me një lodhje të thellë fizike dhe mendore,” tha për Newsweek eksperti Kevin Thompson. Ndërsa sipas Rosie Osmun, trajnere e certifikuar për gjumin, “kjo tregon se pushimi është kthyer nga luks në nevojë jetike.”

Studimi zbuloi gjithashtu se personat me të ardhura më të larta janë 26% më të prirur të përdorin pushimet për të fjetur, krahasuar me ata që fitojnë më pak se 100 mijë dollarë në vit. Mesatarisht, amerikanët përdorin 2 deri në 3 ditë pushimi vetëm për gjumë.

Ekspertët paralajmërojnë se ky trend tregon një shoqëri gjithnjë e më të mbingarkuar dhe të rraskapitur, çka mund të çojë në ulje të produktivitetit në të ardhmen. Megjithatë, ata theksojnë se pushimet nuk do të zhduken, por pushimet në shtëpi, pritet të bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit